Vala

Për shumicën e njerëzve, të arrish 100 vite jetë do të ishte një arsye e fortë për t’i marrë gjërat më lehtë. Por Lisel Heise ka ide të tjera. E moshuara gjermane, ish mësuese fizkulture, ka nisur një kapitull të ri në jetën e saj dhe po garon në zgjedhjet për këshillin e qytetit të saj, Kirhaimbolanden.

Ajo e ka fokusuar fushatën në rihapjen e pishinës publike, e cila u mbyll në vitin 2011.

“Hyra në politikë, në mënyrë që të bëja diçka për të rinjtë. Të gjitha gjërat e mira po zhduken: pishinat po mbyllen dhe ata nuk kanë asnjë vend të mirë për të kaluar kohën jashtë shkollës”, thotë Lisel.

Zgjedhjet zhvillohen me 26 maj dhe votuesit e këtij qyteti me 8 mijë banorë, po fillojnë ta dëgjojnë kandidaten e moshuar.

“Të moshuarit shpesh janë lënë në hije. Bën diference të madhe që ajo ka guximin të thotë: Jemi edhe ne këtu”, thotë Edelraut, një banore e zonës.

Përtej politikës lokale, 100 vjeçarja shpreh opinione edhe për atë çfarë ndodhë në botë.

“Brexit nuk duhej kurrë të kishte një platformë. Më duket e mrekullueshme që të rinjtë po mundohen të trajtojnë çështjet e klimës. Uroj që ata të kenë shumë sukses në nismën e tyre”, thotë zonja “shekullore”.

Pavarësisht rezultatit, Heise ka disa këshilla për ata që dëshirojnë të ndjekin hapat e saj. “Për të arritur moshën 100 vjeç ju këshilloj të jetoni shëndetshëm derisa jeni të rinj, bëni sport, ushqehuni mirë dhe stërvitni mendjen”.

MUND TË JU PËLQEJNË