Vala

E kam vështirë t’i përshtatem kësaj kohe… Disi, më duket dhe jo vetëm mua, sikur ka çrregullim mental kolektiv.

Së pari, më kanë zhgënjyer jo pak shokët dhe miqtë e mi, madje ata të fëmijërisë dhe të rinisë dhe miqtë familjarë, shokët që kemi punuar, jetuar si vëllezër shumë vjet!

Siç thonë, të mirën dhe të keqen e kemi ndarë gjithmonë bashkë. Thuajse ka ndodhur një hokus-pokus dhe ka ndryshuar çdo gjë.

Njerëzit i ka kapluar një ankth, një tërbim, duan të të hanë për së gjalli: të rrejnë, të mashtrojnë, ta fusin ndërskamcën në mënyrë irracionale, pa pasur kurrfarë fitimi, vetëm nga smira, nga dëshira për ta bërë një të keqe. E kanë humbur arsyen.

“Kuku, medet, ç’kohë pritëm, jetojmë!”, fjalë këto të një burri të dëshpëruar, të zhgënjyer në të sotmen, nga e cila dëshiron të ikë, qoftë edhe nga Kosova për të cilën dha shumëçka. La luksin në Gjermani, la gjymtyrën për lirinë e Kosovës.

Troket me paterica nëpër dyert e institucioneve që nuk i dalin në ndihmë tash e 20 vjet.

“Aiiiii… a po e di se na ke lodhë, allahile! Ktheu në Gjermani e merre pensionin për ato vite që ke punuar atje!”, i thonë, në vend të përgjigjes së kërkuar.

*
Jo qëllimisht shfletoj librin e shkrimtarit hungarez Imre Kertesz dhe ndalem në faqen që, pastaj, jo rastësisht i nënvizoj këto fjali:

“A keni vërejtur se në këtë shekull gjithçka po bëhet më e vërtetë, se po zbulohet vetja e së vërtetës?

Ushtari bëhet vrasës profesionist; politikani kriminel; kapitali bëhet ndërmarrje për eliminimin e njerëzve; ligji bëhet rregull për pazare; liria botërore bëhet burg popujsh”.

*
Sa shumë ka ndryshuar njeriu ynë!
Është ky mendim që shpeshherë e hasim në biseda, në ndeja. Vërtet, nuk di, se cila është e vërteta për njeriun tonë: A ka ndryshuar dhe sa ka ndryshuar sot! Apo, ishte ky i sotmi edhe dje, por që e djeshmja tragjike e kishte kolektivizuar, që të ndihej më pak i frikësuar në veprimin e përbashkët kombëtar?

E, të gjitha këto sot duken relative…
Vërtet, cili është njeriu ynë, shqiptari sot?

*
20 vjet me rrena, ç’do më?!
Kaluan, ikën 20 vjet. S’janë pak. Po, çka?
Në 20 vjetët e pasluftës, pjesa dërmuese e popullit ka heshtur, ka pritur. Ka lejuar që shtetin e ardhshëm ta definojnë ekstremistët dhe profiterët politikë.

Ka lejuar ky popull që në kokë të na hipin ministra diletantë, politikanë analfabetë, e që pushtetin e kanë shfrytëzuar për të rritur pasuritë e tyre dhe për të punësuar farefisin e pashkollë.

Ka lejuar që themelet e pavarësisë së shumëkërkuar të na i ndotin tenderët, korrupsioni, trafikimi, kontrabanda…

Ka heshtur populli. Ka heshtur Kosova…
Edhe tash po heshtin. As tymin e duhanit s’e prishin!
E, fjalë, zhurmë e ankesa sa të duash…
Po ku?
Në ndeja, në kafene…

Fjalët më të shpeshta:
S’jetohet kështu më! S’durohet kështu më! Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË