Vala

Takim bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Fushë-Kosovës dhe Bankës Botërore *

Para dy ditësh në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa u mbajt takimi në mes të znj. Irena Capita, përfaqësuese e Bankës Botërore, me seli në Uashington, dhe z. Ramadan Jashanica, Drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Fushë-Kosovës. Temë diskutimi ishte arsimi parafillor, fillor dhe ai i mesëm.

Gjatë takimit, u fol kryesisht rreth sfidave me të cilat përballet arsimi në Komunën e Fushë-Kosovës si dhe nevojat që ka ky sektor për avancimin e mëtejmë. Me theks të veçantë u bisedua për mënyrën e organizimit të procesit arsimor dhe nevojën që të thellohet bashkëpunimi ndërmjet nivelit lokal, atij qendror dhe donatorëve të jashtëm me qëllim të arritjes së rezultateve më të mëdha në fushën e arsimit.

Drejtori, z. Ramadan Jashanica, pasi i falënderoi mysafirët nga Banka Botërore për këtë takim, i njoftoi ata se Komuna e Fushë-Kosovës nga dita në ditë po shënon rritje enorme të numrit të banorëve, e rrjedhimisht edhe të numrit të nxënësve në shkolla. Ma këtë rast, ai vuri në dukje se Komuna e Fushë-Kosovës ka nevojë për një numër më të madh të punëtorëve të arsimit.

Pikë tjetër e diskutimit ishte përgatitja e një raporti të progresit mbi arsimin e Komunës së Fushë-Kosovës me përmasa ndërkombëtare, raport ky me mundësi prezantimi në organizatën e Bankës Botërore.

Në fund të takimit, palët u zotuan se bashkëpunimi i ndërsjellë në mes të Komunës së Fushë-Kosovës dhe përfaqësuesve të Bankës Botërore do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

MUND TË JU PËLQEJNË