Vala

Burri im disa herë më ka thënë – dil dhe gjeje edhe një tjetër për argëtim, sepse unë po jam shumë i zënë me punë dhe e di se nuk po mund ta kryej si duhet obligimin që e kam ndaj teje, shkruan “Kosovarja”.

Por, edhe pse im burrë më thoshte të gjeja një tjetër për argëtim, unë isha dhe ende jam kundër idesë së tij, sepse ne jemi së bashku qe 20 vjet. Mendoj se e kam një martesë të lumtur dhe e dua burrin tim shumë.

Dhe, si rrodhi ngjarja?
Para një muaji im burrë më propozoi të shkojmë në Rugovë për vikend. Të them të drejtën, më pëlqeu propozimi i tij, sepse kishte kohë që nuk kishim dalë jashtë Prishtinës. Në hotelin ku u vendosëm ishte edhe një çift tjetër, përafërsisht të moshës sonë.

Në mbrëmje pimë kafe bashkë dhe u njoftuam paksa më gjerësisht. Por, e keqja ishte se im burrë ia vuri syrin gruas me të cilën veç i kaluam nja dy orë bashkë.

Dhe, menjëherë më shkoi mendja pse im burrë dëshironte që unë të gjeja një tjetër për argëtim!

Sipas mendimit tim, asgjë nuk ndodhi deri në javën tjetër, kur im burrë insistoi të shkonim përsëri në Rugovë, e që mua menjëherë më lindi dyshimi te ai.

Ashtu edhe ndodhi. Ai e kishte ditur që po ai çift do e kalojnë edhe fundjavën tjetër në Rugovë dhe për atë edhe insistonte të shkonim atje.

E keqja ndodhi në mbrëmje, kur mua më dhembte koka dhe kisha nevojë të rrija në dhomë, të pushoja. Ai me atë zonjën ishin takuar në një bar të vogël që e kishte hoteli.

Meqë u vonua, më shkoi mendja se ai ma bënte ndonjë të keqe pas shpine dhe dola ta kërkoja…

Tmerri im ishte kur i pash duke u puthur! U tmerrova nga pamja që pash dhe shpejt u ktheva prapa, por ai më vërejti dhe vrapoi të më ndalte, në mënyrë që t’më qetësonte…

I thashë të ikte prej meje dhe se me atë natë gjithçka kishte marrë fund ndërmjet nesh, ani pse mendoja se i kishim kaluar bashkë 20 vjet “të lumtura”…

U grindëm keq dhe vendosa ta kaloja natën në një dhomë tjetër të hotelit, e të nesërmen u ktheva me taksi në Prishtinë.

Dhe, që nga ajo ditë, jam në dijeni se ata po kontaktojnë njëri me tjetrin, kurse unë kam mbetur as me sheher e as me Barilevë, siç thuhet në popull… /D. /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË