Vala

Frekuentimi i të rinjve në lokale të ndryshme, zhurma, buzëqeshjet, janë disa nga karakteristikat e veçanta që e karakterizojnë Gjilanin edhe në ditët e sotme, ani pse nuk jemi në sezonin veror, kur Gjilanin e vërshojnë “shatcat” dhe kur atmosfera arrin në kulm. Sepse, jeta e hareshme e natës në Gjilan ekziston vetëm gjatë verës, kur vijnë bashkatdhetarët në pushim, shkruan “Kosovarja”.

Flasin të anketuarit…
Në pyetjen se çfarë mendoni për rininë e Gjilanit, Blinajë Mehmeti thotë:
“Rinia e Gjilanit është rinia më e veçantë e Kosovës. Rini e cila para vetes si koncept parësor ka mësimin, shkollimin universitar etj. Pra, gjërat kryesore që i duhen për një të ardhme më të mirë”.

Ndërkaq, në pyetjen se a ka vende të mjaftueshme ku mund të argëtohet rinia, ajo përgjigjet:

“Sa i përket vendeve për argëtim, mendoj se ka vende të mjaftueshme për t’u argëtuar dhe shfrytëzohen mjaft nga të rinjtë gjilanas”.

Kurse, në pyetjen se çfarë i mungon rinisë gjilanase, nga ajo morëm këtë përgjigje:

“Rinia e Gjilanit ka nevojë për më shumë vende, ku të rinjtë tanë mund të përfitojnë më tepër nga fusha e kulturës”.

Rinia e Gjilanit ka kulturë
I anketuari tjetër, Leutrim Hyseni, për rininë e Gjilanit jep këtë përgjigje:

“Mendoj se rinia e Gjilanit dallon nga vendet e tjera në Kosovë, si për nga kultura ashtu edhe shkollimi”.

Në pyetjen: “A mendoni se ka vende të mjaftueshme ku mund të argëtohet rinia e Gjilanit?”, ai thotë:

“Edhe pse Gjilani është qytet i vogël, mendoj se ka vende të mjaftueshme për t’u argëtuar, sidomos në stinën e verës”.

E, në pyetjen se çfarë i mungon rinisë gjilanase, thotë:

“Rinisë gjilanase më së shumti i mungojnë vendet për aktivitete sportive, edhe pse dy salla veç janë ndërtuar”.

Të etur për argëtim
Dhe, i anketuari i tretë, Art Mema, në pyetjen se
çfarë mendon për rininë e Gjilanit, jep këtë mendim:

“Të rinjtë e Gjilanit janë të talentuar dhe të edukuar, por edhe të etur për argëtim, lojëra e të tjera të ngjashme”.

“A mendoni se ka vende të mjaftueshme ku mund të argëtohet rinia?”, ishte pyetja e radhës…

“Nuk ka vende të mjaftueshme ku mund të argëtohet rinia e Gjilanit, sepse me argëtim nuk nënkuptohet vetëm kalimi i kohës nëpër lokale, por edhe nëpër vende të ndryshme ku mund të merret dije e re”.

Ndërkaq, në pyetjen se çfarë i mungon rinisë gjilanase, Arti thotë:

“Rinisë gjilanase i mungojnë shoqatat që kanë për qëllim vetëdijesimin e të rinjve, vende ku ata do të argëtoheshin si moshatarët e tyre në Prishtinë.

Por, mjerisht, Gjilani nuk është Prishtinë. Dhe, vërtet, sado që Gjilani nuk është larg nga kryeqyteti, nuk është Prishtinë, meqë edhe mentaliteti atje është ndryshe… Diturie Haxhaj /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË