Vala

Zakonisht, mediumet tona, qofshin ato elektronike apo të shkruara, kur e prezantojnë ndonjë komunë të vendit tonë, përmes emisioneve, shkrimeve, debateve, intervistave, kryesisht i realizojnë me kryetarë të komunave apo pushtetarë të saj, të cilët flasin për arritjet, realizimin e detyrave dhe të premtimeve të dhëna gjatë fushatave, kurse rrallëherë me qytetarët e asaj komune, të cilët do të flisnin për hallet, ankesat, problemet, pakënaqësitë e tyre, por dhe për të mirat, me të cilat janë të kënaqur, shkruan “Kosovarja”.

Ky është edhe shkasi i kësaj bisede me Enver Krasniqin, i cili nga viti 1979 është banor i Fushë-Kosovës, tek jeton me familje. Enveri është biznesmen tashmë i njohur që merret me ndërtime të godinave të ndryshme, por edhe me ndërtimin e shtëpive me çelës në dorë.

Jo rrallë më ka rastisë puna të rrimë bashkë. Dhe, në ndejat me të, rrallëherë kalon koha, muhabeti, pa mburrjen e tij se është banor, qytetar i Fushë-Kosovës.

Pse?
Kam të drejtë dhe arsye – thotë në fillim të bisedës Enveri. Fushë-Kosova, nga një katund i vogël, për pak vjet arriti të bëhet qytet për lakmi sot. Mjafton ajo çka është më e rëndësishme – banorët e kësaj komune janë të kënaqur me arritjet e saj. Sot banori i Fushë-Kosovës nuk e lakmon as kryeqytetin, Prishtinën.

Në Fushë-Kosovë jeton tash e dyzet vjet. Si ka qenë atëherë e si është sot?
– Të parët e mi erdhën këtu kah viti l979. Më duhet të them se mua nuk më pëlqente atëherë. Isha fëmijë. Në Prishtinë kisha lënë shoqërinë që këtu më mungonte. Fushë-Kosova më dukej katund, çka edhe ishte në atë kohë: me shtëpi të rralla, kryesisht njëkatëshe.
Por, dita-ditës dhe për një kohë të shkurtër filloi të shtohej me shtëpi të reja, të bukura dhe me më shumë kate nga ardhacakët, që vinin nga të gjitha trojet shqiptare dhe bëheshin banorë të kësaj komune.

A të ka shkuar mendja, ndonjëherë, se Fushë-Kosova bëhet kjo që është sot?
– Jo që s’më ka shkuar mendja, por edhe po ta ëndërroja do më mbetej vetëm ëndërr. Fushë-Kosova ishte një katund i vogël, një paralagje e Prishtinës. Sot është qendër dhe çdo ditë habit, befason për të mirë…
Sot Fushë-Kosova ka pamje krejtësisht tjetër. Është bërë qytet. Qytet i bizneseve të ndryshme, i kompanive më të mëdha në vend.

Me një fjalë, në Fushë-Kosovë sot bëhet jetë e mirë, a?
– Ashtu është. Unë tash thirrem banor i vjetër i Fushë-Kosovës dhe me plot përgjegjësi mund të them se sot të rrallë, apo të pakët, janë ata qytetarë të kësaj komune, që kanë ankesa, sikur që kanë të shumë komunave të tjera. Natyrisht, për këtë merita i takon stafit udhëheqës të komunës, me në krye Burim Berishën, e që çfarëdo ankese a kërkese të qytetarëve e zgjidhë në afat sa më të shkurtër.

Nga kjo del se ke fjalë të mira për kryetarin që e udhëheqë këtë komunë, Burim Berishën. Hë?
– Jo vetëm unë, por të gjithë, përjashtuar dikë që ka inate personale apo dhe profesionale ndaj tij. Kryetari ynë, Burim Berisha, dallon për shumëçka nga homologët e tij në Kosovë. Ai nuk ka shofer zyrtar, madje as truprojë.

Siç thotë edhe vetë: “Ç’më duhet shoferi derisa unë e kam patentën e shoferit dhe di të ngasë veturën?! Ç’më duhet truproja derisa s’jam në gjak me askënd?!

Kryetarin tonë sot e gjen në mes të banorëve kudo që janë. Madje, ai s’përton t’u përgjigjet qytetarëve për çfarëdo nevoje edhe aty ku s’është, qoftë dhe në kafiteri teksa rri me shoqëri, e lëre më në zyre…
Vlen të përmendet se Burimin e kanë votuar edhe më se dy mijë qytetarë të komuniteteve që jetojnë në Fushë-Kosovë.

Këto fjalë tuajat lënë përshtypjen se ti ke simpati të veçantë ndaj tij. Mos po e tepron pak?
– Flasin rezultatet e tij. Flet e dëshmon puna e tij e përditshme që shihet me sy. Dhe, jo për pak kohë. Koha e dëshmisë së tij është qe një dekadë. Këtë po e them nga këndi i qytetarit të kësaj komune, nga syri im, i një qytetari që mendoj se i bashkëngjiten shumica e banorëve të kësaj komune.

Çka e karakterizon Fushë-Kosovën sot?
– Jeta e mirë, e kënaqshme, me pak probleme e me pak ankesa të qytetarëve. Natyrisht, kriza e përgjithshme e ka bërë të veten, por në këtë qytet, ku përditë shtohen biznese të ndryshme, nuk është vërejtur aq sa gjetiu. Dhe, tjetër çka e karakterizon këtë komunë janë raportet e mira në mes banorëve të saj, pavarësisht përcaktimit politik a partiak.

E pabesueshme, por ejani dhe binduni! Më shpejt mund të vini nga qendra e Prishtinës në Fushë-Kosovë sesa që arrini nga “Bregu i Diellit” a “Kodra e Trimave” në qendër të Prishtinës.

Ti merresh me biznes të ndërtimeve të godinave të ndryshme, të banesave, por dhe të shtëpive me çelës në dorë. Sa je i kënaqur me këtë biznes?
– Natyrisht, ky biznes nuk krahasohet me atë të kohës së pasluftës kur kishte shumë punë. Por, edhe sot nuk është keq, po qe se punon me një program, duke iu përshtatur kohës aktuale të jetesës.

Nuk jam prej atyre biznesmenëve që hapen shumë, i pangopshëm… Jam prej atyre që kënaqet me pak, aq sa për ta mbajtur familjen pa ankesa dhe për një të ardhme të mirë, të lumtur të fëmijëve të mi.

Për fund, edhe një pyetje: Jashtë profesionit tënd, a ke kohë të lirë dhe me çka merresh?
– Mundohem të jem i lirë dhe të jap kontributin tim edhe në aktivitete sportive. Konkretisht, jam kryetar i Klubit të Boksit në Fushë-Kosovë, klub ku i cili tashmë e ka dëshmuar veten me rezultate konkrete dhe më bën të ndihem krenar.
Pra, të priftë e mbara!
– Edhe ju paçi punë të mbarë!

P. S. Për Enver Krasniqin dhe rezultatet e tij afariste, por edhe për ndihmat e shumta që i ka ndihmuar njerëzit hallexhinj, ka edhe shumëçka të shkruhet, por këtë herë po e përfundojmë me kaq, meqë edhe vetë personazhi i këtij shkrimi, nga modestia, nuk dëshiron t’i bëjë të gjitha publike. G. Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË