Vala

Kisha nxituar të arrija në kohën e duhur, prandaj i kisha dhënë turr veturës gjatë gjithë rrugës. Posa arrita në vendin dhe kohën e caktuar, i telefonova mikës së saj, përmes së cilës mbaja lidhjen që nga dita e parë e njohjes sonë, shkruan “Kosovarja”.

“Di gjë për të dashurën time?”, e pyeta, meqenëse e dashura ime nuk kishte dal në kohën e caktuar aty ku duhej të takoheshim.

Dhe, mikja me dashamirësi më përcolli porosinë nga e dashura, me të cilën ajo më informonte se do të takohej me mua në orët e pasdites. Kjo po ndodhte ashtu, meqë detyrat e punës që bënte, nuk po e lejonin të dilte në kohën që e kishim caktuar paraprakisht.

Ishte paradite, andaj koha deri te takimi pasdite ishte bukur i gjatë e monoton…

Dhe, për ta thyer monotoninë, e cila në njëfarë mënyre shkaktonte ankth te unë, ftova miken e saj t’më shoqëronte. Ajo iu përgjigj thirrjes sime me kënaqësi, bile edhe më herët kishte shfaqur dëshirë për të dal me mua në kafe.

Në orët e pasdites ajo po vinte anës bulevardit të zhurmshëm, e ngarkuar me një lloj faji që nuk ishte i saj. Ai preokupim e ajo ngarkesë që e kishte rënduar lidheshin me takimin, i cili po realizohej me vonesë.

Me të arritur pranë tavolinës sonë, u përshëndetëm ngrohtë, siç përshëndeten të dashuruarit dhe që të tre vazhduam ndejën, e po pinim pijet e preferuara. Ndeja ishte gazmore e me batuta, të cilat krijonin atmosferë të ngrohtë, pse jo edhe atmosferë dashurie…

Unë e shikoja me lakmi, si një i dashuruar që isha, përgjatë gjithë trupit, që nga maja e gishtërinjve të këmbës e deri te majat e flokëve. Po vëreja se ngjyrën e thonjve në gishtërinjtë e këmbëve e kishte harmonizuar me ngjyrën e thonjve të gishtërinjve të duarve.

Po ashtu, vërejta se edhe ngjyrën e çantës e kishte harmonizuar me këpucët dhe veshjen e saj të cilën e kishte zgjedhur me shije. Nuk arrita të kuptoja për ngjyrën e zezë të flokëve se a e kishte përshtatur me vetullat harkore të zeza, apo me qepallat e syve që i kishte si kokrra rrushi të Rahovecit.

Dhe, derisa po e shikoja, shkrihesha i tëri në bukurinë e saj të rrallë. I mundur nga ndjenjat, më bëhej se kisha pranë veti një princeshë, që po më çmendte me madhështinë e saj, e cila po reflektonte një qëndrim e sjellje të qytetëruar, shkruan “Kosovarja”.

Sa e bukur dukej e sa me ëmbëlsi fliste! Më dukej se nxirrte mjaltë prej goje kah fliste, e kur më hidhte shikimin sikur gjuante shigjeta nga sytë e saj. Herë pas herë ato shigjeta më qëllonin aq shumë sa mezi përmbahesha të mos i hidhesha në qafë e ta merrja në përqafim me puthje të pareshtura…

Shprehja e dashurisë
Në një moment të caktuar, derisa po kënaqesha duke e vrojtuar, ajo me droje më pyeti:
“Je mërzitur gjatë pritjes për takim?”.

E shikova me shikimin e një të dashuruari, shikim i cili qartazi tregonte se zemrën time tashmë e kishte rrëmbyer. Ndonëse vetë shikimi fliste mjaft, e ndjeva të arsyeshme që ndjenjat e mia t’ia shprehja edhe me fjalë:

“Jo, zëmra ime. Ndoshta do të mërzitesha për çka do tjetër, por për pritjen e takimit me ty – assesi. Ishte mikja jote, e cila më shoqëroi pa lënë vend për mërzi”.

“Por, unë erdha me vonesë të madhe, për çka ndjehem me faj”, u ndërlidh ajo.

E unë, në vend të fjalëve, shtriva dorën kah dora e saj. Së pari, ia ledhatova dorën me dorën time. Pas kësaj, ajo hapi gishtërinjtë për t’i futur mes gishtërinjve të dorës sime.

“Nuk u mërzita, sepse erdhe të takohesh me mua në momentin kur t’u dha mundësia. U shfaqe si copë bjeshke, e cila në gjirin e saj mbërthen vullkanin që po shpërthen. Zjarri brenda tij është zjarri i dashurisë sonë”.

Fjalët e mia sikur i dhanë zemër. Deshi t’më hidhej në përqafim për t’më falur një puthje, por nuk pati guxim. Në vend të puthjes më dhuroi një shikim të zjarrtë. Pas kësaj lëshoi shikimin për tokë dhe, pa më shikuar, më tha:
“Më fal për vonesë!”.

Unë, pa folur asnjë fjalë, afrova trupin afër trupit të saj për ta mbështetur anën e majtë të trupit për krahun e djathtë të saj.

Kur ndjeva nxehtësinë e saj, mu duk se po i shtohej edhe më tepër bukuria, e cila sakaq më humbte para syve. Kjo më kishte ndodhur edhe gjatë kohës derisa e prisja në takim, kur herë-herë më humbte parafytyrimi për gjithë atë pamje të saj impozante.

Dhe, për të shprehur me fjalë gjithë ndjenjën e madhe, e cila më dezorientonte, vazhdova fjalën atje ku kisha mbetur më herët:

“Erdhe kur në imagjinatën time dukej sikur po shteronte parafytyrimi për të bukurën, kur më bëhej se po më mungonte fuqia për ta shijuar të bukurën. Prania jote po e rikthen ndjenjën, po e ringjallë fuqinë e po më frymëzon për ndjenjë të pasur, me të cilën do ta përshkruaja bukurinë tënde madhështore”.

Puthja në vend të shpërblimit
Mikja e saj u gëzua për fjalët tona të zgjedhura. Dhe, para se të thoshte diç, lëshoi një të qeshur me zë të lehtë.

“Ndoshta do mendoni pak edhe për mua, që po e luaj rolin e mesitit. Pres shpërblim si mesit! E, më i vlefshmi për mua është lumturia juaj, e që shoh se ka marrë turr nga dashuria që keni për njëri-tjetrin”.

Dhe, për të plotësuar kërkesën e saj, por edhe dashurinë tonë, u përqafuam fort, duke shkëmbyer puthje të zjarrtë, e cila ishte dhurata më e mirë jo vetëm për mikën, por edhe për ne… P. Kalaja /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË