Vala

Nëse makthi juaj janë insektet e bezdisshme nëpër raftet e kuzhinës erdhi koha t’i zhdukni përgjithmonë në mënyrë që të mos ketë shanse të rikthehen përsëri, vetëm me disa gjëra të thjeshta të bëra vetë.

Nga fluturzat me krahë, tek insektet gati të padukshme, shumë prej tyre mund të pushtojnë ushqimin tuaj dhe ta bëjnë të pakonsumueshëm. Për t’i hequr qafe, do t’u mësojmë disa mënyra të thjeshta, pa qenë nevoja të përdorni kimikate të forta në ambientet ku ruani ushqimet tuaja.

Hapi 1: Kontrolloni raftet

Për të eliminuar insektet e rafteve, fillimisht identifikoni gjithë ushqimet e kontaminuara prej tyre dhe hidhini poshtë. Këta ‘dëmtues’ të vegjël janë në gjendje të lëvizin shumë shpejt e për pasojë mund të kenë kontaminuar edhe ushqime të rafteve të tjera. Pastaj kontrollojini me radhë raftet, nga kutitë e mbyllura tek skutat e rafteve.

Hapi i dytë: Eliminoni çdo kontaminim

Ekzaminoni çdo qese ose kavanoz për të parë nëse ka miza apo larva nëpër ta. Në çdo rast, kur i shihni, hidheni qesen siç është kurse kavanozave derdhuani përmbajtjen dhe sterilizojini mirë me ujë të nxehtë. Gjithashtu kontrolloni cepat e qeseve të mbyllura sepse vezët mund të fshihen gjithashtu nëpër to. Kur t’i hidhni ushqimet, mos harroni që t’i mbyllni mirë qeset plastike në mënyrë që insektet të mos përhapen më tej nëpër shtëpi.

Hapi i tretë: Pastroni me themel raftet e kuzhinës

Pasi të keni hedhur ushqimet e kontaminuara zbrazini të gjitha raftet. Ushqimet që nuk duken të kontaminuara futini në frigorifer (dhe lërini aty për disa ditë), më pas spërkatini raftet me një solucion spray me ujë dhe uthull dhe lërini hapur të ajrosen. Kur të zëvendësoni ushqimet e hedhura me ushqime të reja, sigurohuni t’i mbani në enë plastike dhe kavanoza me mbyllje hermetike.

Hapi i katërt: metoda natyrale për të parandaluar rikthimin e insekteve

Për të parandaluar rikthimin e insekteve nëpër rafte, vendosni disa gjethe dafine nëpër to. Aroma e tyre i bezdis fluturat dhe insektet e tjera duke i mbajtur larg rafteve. Gjithashtu mund të spërkasni një solucion me ujë dhe pak vaj esencial nëpër rafte. Aromat që largojnë insektet janë: portokall, livandë, nenexhik ose limon.

Një këshillë e fundit: Sa herë që merrni produkte nga kavanozat mos neglizhoni mbylljen mirë të tyre. Gjtihashtu, nëse iu bien kokrra orizi, drithëra, miell nëpër rafte, pastrojini menjëherë. Përndryshe insektet do të rikthehen dhe do t’ju duhet të dezinfektoni raftet nga e para.

MUND TË JU PËLQEJNË