Vala

Kongresisti amerikan, miku i Kosovës, Eliot Engel, është rizgjedhur, pa kundërshtarë, në Dhomën e Përfaqësuesve.

Demokrati Engel i ka vlerësuar zgjedhjet e djeshme si ndër më të rëndësishmet, në përpjekjen e partisë së tij, demokratëve, për të fituar përkrahjen e Kongresit në lidhje me kundërshtimin e politikave të presidentit Donald Tramp, shkruan Kosovarja.

Kongresisti Eliot Engel njihet për angazhimin e tij personal prej dekadash, duke dhënë kontribut të paçmueshëm për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Kosovë. Andaj, me të drejtë njihet si miku i Kosovës.

Ai ka shumë miq shqiptarë, e ndër ta është edhe biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani, i cili, pa dyshim, e mirëpret këtë lajm të gëzuar jo vetëm për të, por për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen ata.

Ju kujtojmë se sivjet, në një ceremoni të bukur e simbolike, të zhvilluar në zyrën e tij, kongresisti Eliot Engel i dorëzoi zyrtarisht biznesmenit të shquar Lazim Destani, flamurin amerikan, i cili është valëvitur më 4 Korrik mbi ndërtesën e Kongresit Amerikan.

“Ky flamur u valëvit për t’u nderuar juve më 4 Korrik, miku im”, i tha kongresisti Engel, duke ia dorëzuar në mënyrë ceremoniale një ditë më pas flamurin, teksa e falënderoi që Festën e Amerikës e kishin festuar bashkë në Nju-Jork.

E, Lazim Destani, me këtë rast, duke falënderuar z. Engelin, tha:
“Për mua, personalisht, ky është një nga nderet më të mëdha që kam përjetuar deri më tani. Është i këtillë, sepse e pranoj nga shteti Amerikan, nga shteti i cili historikisht na ka mbështetur dhe me të cilin kemi lidhje të forta miqësore. Unë e çmoj lart këtë miqësi mes dy popujve tanë dhe do vazhdojmë ta forcojmë gjithnjë e më shumë, duke mbetur përgjithmonë miq të ngushtë ndërmjet veti dhe partnerë besnikë të idealeve të përbashkëta. Ju falënderoj pa masë Juve, kongresist Engel, jo vetëm për iniciativën që t’më dhuroni këtë flamur, që në nderim timin u valëvit në Capitol Hill, por edhe për angazhimin tuaj personal prej dekadash, duke dhënë kontribut të paçmueshëm për zgjidhjen e çështjes shqiptare, si dhe për demokratizimin e rajonit të Ballkanit, në përgjithësi, e veçanërisht për mbështetjen e Kosovës në gjithë rrugëtimin e vet”. / Kosovarja /

MUND TË JU PËLQEJNË