Vala

Mijëra pacientë që vuajnë nga kanceri i prostatës, do të kursehen nga trajtimet e dëmshme me anë të një pyetësori të krijuar së fundmi nga disa shkencëtarë në Britaninë e Madhe.

Pacientët me kancer të prostatës tani mund t’a shohin se sa është probabiliteti i vdekjes në 10-15 vitet e ardhshme dhe sa do të bëjnë efekt trajtimet kundër këtij kanceri.

Për shumë pacientë është e vështirë të merret vendimi se a duhet t’i nënshtrohen një ndërhyrje kirurgjike apo të vazhdojnë trajtimin, mirëpo me anë të këtij pyetësori i cili zgjatë vetëm 10 minuta ky vendim do të jetë më i lehtë.

Pyetësori përmban disa pyetje te cilat bëhen nga një doktor, dhe e informojnë pacientit për mundësinë e mbijetesës nga ky lloj i kancerit por edhe nga llojet e tjera të kancerit. Rezultatet shfaqen në një tabelë e cila tregon se sa do të rritet shansi për mbijetesë nëse një pacient merr një trajtim të caktuar. Ato bazohen në stadin e kancerit në të cilin gjendet pacienti, moshën dhe testet tjera mjekësore.

Ky pyetësor do të inkurajojë edhe meshkujt me një probabilitet të ulët të mbijetesës që të fillojnë terapinë menjëherë.

“Ne besojmë që ky test, do të reduktojë numrin e trajtimeve të cilat janë të panevojshme dhe të dëmshme, dhe u janë dhënë pacientëve të cilët vuajnë nga kanceri i prostatës”, tha Dr. Vincent Gnanapragasam, profesor në Universitetin e Kembrixhit dhe një nga autorët e pyetësorit.

Në shumë raste aplikimi i një trajtimi të caktuar në pacientët të cilët vuajnë nga kanceri është padyshim efektiv, mirëpo në disa raste ky trajtim ka më shumë efekte negative sesa pozitive, me ç’rast gjendja e pacientit përkeqësohet.

Më shumë se 47.000 meshkuj diagnostikohen nga kanceri i prostatës, dhe kjo vlerë pritet të rritet për 29% deri në vitin 2030. Ky pyetësor përmban vetëm 10 pyetje dhe u aplikua tek 10.000 pacientë me këtë lloj sëmundje.

Meshkujt pyeten për moshën, stadin e kancerit, rezultatet e analizave dhe kohën në të cilën kanë qëndruar në spital. Rreziku i vdekjes nga kanceri në prostatë është më e ulët se rreziku i vdekjes nga sulmet në zemër. Kështu, shansi që një person i moshës 72 vjeçare me kancer të prostatës të vdesë brenda një dekade është 7%, ndërsa trajtimet do t’a zgjatnin jetën e tij për vetëm 3%.

Hulumtuesit që e kanë zhvilluar këtë metodë besojnë që ky test do t’i ndihmojë pacientët të gjykojnë në një mënyrë më të arsyeshme se a duhet të pranojnë trajtime.

MUND TË JU PËLQEJNË