“Atdheu nuk vidhet, as s’vritet luftëtari i tij!”, vargje këto të poetit tonë të madh, Ali Podrimja, i cili, në një intervistë, në pyetjen: “Çka u bën të ndjeheni të lumtur?”, u përgjigj:

“Më në fund, pas 130 vjetësh, Kosova u pavarësua. Doli në dritë. U fitua liria. Jetojmë të lirë. Por, shoqëria jonë duhet të jetë e të gjitha shtresave.

Nuk bën dikush të ketë e dikush të lypë. Nuk bën t’i harrojmë eksodet dhe luftërat nëpër të cilat kaluam.

Rruga dikur na shpinte drejt e te shkretëtira e Arabisë. Të mirën tani duhet ta kërkojmë brenda hapësirës sonë dhe të jemi më solidarë ndaj njëri-tjetrit, përndryshe e keqja mund të trakas në derë!”.

S’ka nevojë për koment.
Janë këto fjalë të poetit.
Si t’i thoshte sot!

*
Ballafaqimet brenda shqiptare po rritën dita-ditës, shkaku i prirjes sonë për të qenë vetëm i pari.

Ne, shqiptarët, në Kosovë e Shqipëri, sikur e ndjemë nevojën ta presim vetëm autobusin me numër një, sepse në numrin dy askujt nuk i pëlqen të ulet!

Dhe, për çudi, kjo sindromë po na përcjellë gjatë gjithë ecjes, historisë sonë. Sikur na parapëlqen që çdo herë të startojmë prej fillimit, prej zeros.
Paksa e çuditshme, a?

*
A është e mundur ta dimë ardhmërinë tonë?
Disa thonë po, e disa të tjerë thonë se ardhmëria e çdo njeriu është e shkruar dhe se ka njerëz që janë në gjendje ta lexojnë atë ende pa ardhur…

Por, a mund të besojmë?
Njëri nga qytetarët e anketuar lidhur me këtë thotë:
“Nuk besoj shumë në parashikime, por edhe nëse flitet për fundin e botës, do të gëzohem, sepse do të jetë fundi i hajnive, kontrabandave, të ligave dhe të këqijave në këtë përditshmëri tonën, në këtë botë”.

Qytetari tjetër:
“U rrita për faqe të zezë, e edhe u plaka… Asnjë ditë të bardhë se pata në jetë! Andaj, nuk më dhimbset shpirti e as jeta edhe nëse vjen kiameti, sepse kiamet e pata gjithmonë!”

*
I thanë thëllëzës:
“Këndo si bilbili!”.
“Nuk di!”, ia ktheu ajo.
“Këndo o të shkoi koka!”.

Thëllëza s’gjeti rrugëdalje dhe ia nisi këngës si bilbili.

I thanë, pastaj, thëllëzës:
“Këndo si turreci!”.
“Nuk di!”, ia ktheu thëllëza.
“Këndo o të shkoi koka!”.

E, thëllëza e shkretë, ia nisi këngës si turreci…
Pastaj, me zor iu desh të këndojë edhe këngë të shpendëve të tjerë…

Dhe, në fund, i thanë:
“Tash këndo këngën tënde!”.

“Më vrisni, nuk mundem!”.
“Pse?”.
“Duke i kënduar këngët e huaja e harrova këngën time!”. Gani Dili /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË