Vala

Gjatë muajit mars, në të cilin jemi, është rritur prania e maunave të gjata me targa KS, por që dihet se nuk janë të Kosovës, e që zbarkojnë mallra në Kosovë! Ato mallra nuk kanë nga të vijnë tjetër kah pos nga Serbia, shkuan “Kosovarja”.

Nëse flasim me fakte, vetëm në rrugën “Xhemail Ibishi” në Prishtinë, brenda ditës zbarkojnë sa e sa të tilla dhe nuk ka market a shitore kudo në Kosovë, e që nuk i ka të gjitha produkte serbo-boshnjake!

Të thuhet se e mbajnë taksën në fuqi kundër Serbisë e Bosnjë Hercegovinës dhe të jetë tregu i vendit, kryesisht, me mallra të këtyre dy shteteve, nuk është korrekte dhe është e pandershme.

Por, edhe të thuhet se maunat e gjata disa metra qarkullojnë maleve e rrugëve malore, edhe kjo nuk qëndron, assesi. Maunat hyjnë, kryesisht, rrugëve të lejuara doganore dhe autostradave të shtetit të Kosovës, sepse u duhet bukur shumë hapësirë për të bërë kthim prapa…

E, si po depërtojnë maunat, e dinë më së miri zyrtarët doganorë…

Sidoqoftë, në shitoret e Kosovës nuk mungon asnjë produkt serb që ishin në treg edhe para taksës! Dhe, mjafton një vizitë në shitoret e Kosovës dhe njeriu bindet se asnjë produkt serb nuk mungon në to!

Andaj, përderisa bota kërkon me ngulm heqjen e taksës, kurse tregu ynë është i mbushur me mallra serbe, taksa veç është bajatizuar!

Sepse, taksën nuk e mbajnë në fuqi deklaratat e thata, por do e mbanin në fuqi mungesa e produkteve serbo-boshnjake, e që kjo nuk po ndodhë!

Në anën tjetër, Kosova dita-ditës po e humbë imazhin në botë dhe po krijohen plasaritje me aleatët më të sinqertë, kurse dikush gjen mënyra për t’u pasuar nëpërmjet kontrabandimit në llogari të taksës!
Keq, a? Safet Krivaça /Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË