Vala

Bisedë me Emin Gjinovcin

Pakkush ia e di emrin e vërtetë. E njohin si Hitleri i Kosovës. Asnjë përshëndetje nuk i bëhet pa “Haj Hitler”! Ai jeton me imazhin e njeriut që shkaktoi miliona viktima në botë gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkruan Kosovarja .

“Krejt çka nuk kisha dashur nën këtë imazh janë krimet ndaj fëmijëve dhe civilëve të pafajshëm”, thotë Emini, i cili me mburrje e krenari e mban imazhin e Adolf Hitlerit, të cilit ia ka përvetësuar edhe gjuhën agresive, edhe shprehjet e ashpra…
Emin Gjinovci është baba i pesë vajzave, jeton në Mitrovicë.

Kush është Emin Gjinovci?
– Jam i lindur më 1958 në fshatin Makërmal të Drenicës. Më thërrasin gjerman. Më thonë Baba a Daja Hitler dhe më shumë më njohin me këtë emër sesa si Emin Gjinovci. Ngado që shkoj më përshëndesin “Haj Hitler”! Askush nuk më përshëndet me përshëndetjet tona të zakonshme.

A e njihni gjermanishten?
– Po, e njoh gjuhën gjermane mjaft mirë, e njoh edhe gjuhën sllovene, gjuhën rumune, serbishten dhe disa gjuhë të tjera sllave. Në Slloveni e kam kryer shkollën e lartë dhe kam jetuar 23 vjet, deri në vitin 1999, kur kam ardhur për t’u kyçur në UÇK. Në Gjermani ka jetuar familja ime dhe pas luftës i jam nënshtruar një operacioni trupor për heqjen e ashklave të predhës që më kishin mbetur në trup gjatë luftës. Jam invalid i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kam pasur rol të vlefshëm në UÇK, duke qenë në strukturat e saj në Dukagjin, Drenicë dhe në tërë Kosovën.

Prej kur jetoni me imazhin e Adolf Hitlerit?
– Këtë imazh e kam bërë timin prej stërvitjeve në kampin e Shqipërisë në kuadër të UÇK-së. Kam qenë në grupin e dytë stërvitor dhe kam luftuar nën këtë imazh.

Sa është e vështirë të jetohet me imazhin e Hitlerit?
– Nuk është lehtë aspak, sepse dihet kush ka qenë ai.

A u ka rënë të shihni ndokënd duke drejtuar gishtin kah ju për t’i thënë shoku-shokut se ja Hitleri?
– Po, çdo kund. Veçanërisht jashtë shoh se si çdo kush rreth meje i thotë shoqëruesit të vet: “Ja, ky është si Hitleri!”. Më shikojnë me kureshtje dhe e komentojnë pamjen time.

A ka edhe të atillë që duan fotografohen me ty?
– Po, mijëra njerëz janë fotografuar me mua. Kam kërkesa të tilla të përditshme.

A ka edhe politikanë që janë fotografuar me ty?
– Po, ka edhe politikanë që janë fotografuar me mua. Disa prej tyre tashmë janë në pozitë e disa në opozitë, por ka që janë fotografuar me mua edhe në Shqipëri.

Ke qenë në Gjermani për shërim, por edhe herë të tjera. A e ke bartur këtë imazh edhe atje?
– Kam qenë në Gjermani për shërim menjëherë pas lufte dhe, pa marrë parasysh se i kisha lëshuar pak më shumë mustaqet se që i kam sot, për ta thyer paksa këtë pamje, fizionomia ime ishte dukshëm si ajo e Hitlerit. Sa isha atje kanë shkruar edhe gazetat gjermane se si një shqiptar nga Kosova është identik me Adolf Hitlerin e famshëm. Kishin një interesim të veçantë mjekësor. Nuk më lejonin të haja asgjë që më sillnin të tjerët. Me siguri, frikësoheshin se dikush mund t’më helmonte, sepse me miliona njerëz e urrejnë Hitlerin shkaku i krimeve që bëri ndaj njerëzimit. E kam pasur edhe rojën te dera e dhomës, sepse interesimi i njerëzve për t’më parë ka qenë i madh.

A ishte i bindur se të donin gjermanët?
– Po, qind për qind jam i bindur se më donin gjermanët për imazhin tim. Të gjitha moshat kishin simpati ndaj pamjes sime…

Si të lindi ideja për këtë imazh?
– Ideja ka qenë spontane, gjatë luftës dhe mua e të tjerëve na e ka ngritur moralin në luftë, sepse që më parë i kam pasur të gjitha elementet e vijave të Hitlerit në fytyrë. Ditën e parë që kam vendosur të dal me pamjen e Adolf Hitlerit ka qenë dita e masakrës së Likoshanit. U mbusha helm dhe dola me këtë pamje. Prej aty më humbi frika dhe dola publikisht me pamjen që kishte domethënie të keqe për armikun dhe të mirë për popullin tim. Nuk e kisha më frikën se çka do të ndodhte me mua. Kur dola me këtë pamje më erdhi edhe besimi se do ta fitojmë lirinë. Është një ndikim që sjell trimëri kudo që jam, por veçmas në luftë kishte shumë domethënie kjo fizionomi.

A ka diçka fals në këtë pamje: mustaqet apo floku, për shembull?
– Asgjë nuk ka fals. Floku është imi, nuk është artificial. Mustaku, po ashtu, e ka gjerësinë dhe gjatësinë e mustakut të Hitlerit, por edhe vijat në fytyrë janë origjinale me po ato tipare.

A ke pasur ftesë për ndonjë rol të Hitlerit?
– Po, kam pasur ftesë prej disa produksioneve të jashtme dhe më i miri më ofroi 200 mijë euro, por unë ua kërkova 1.5 milion dhe kjo gjë dështoi. Ai që ma ofroi ofertën më tha të mos pranoja nën këtë shumë. Dhe, kur ua kërkova shumën e lartcekur ata nuk u pajtuan dhe roli shkoi në pa kthim.
Megjithatë, për mua është bërë një dokumentar në “Dokufest”, i cili flet për jetën time 24 orësh prej kur zgjohem e deri kur bie në gjumë. Do të thotë rregullimi para pasqyrës, veshja, dalja në rrugë, përshëndetja me njerëz dhe takimet e mia ditore. Filmi është pritur shumë mirë.

Meqë jetoni me imazhin e Hitlerit, a di diçka të veçantë nga jeta e tij sekrete?
– Kur e bart pamjen e dikujt, normalisht të imponohet edhe të dish shumëçka nga jeta e tij. Di shumë gjëra për Hitlerin. E kam lexuar librin “Lufta ime” (“Maj kamp”) dhe i kam vizituar disa burgje të Hitlerit. Ajo që nuk më pëlqen te ai është vrasja e fëmijëve dhe e civilëve të pafajshëm.

Pse, pra, je impresionuar me figurën e Hitlerit?
– Para së gjithash, armiku i armikut tim është miku im. Ai ishte armiku i armiqve të mi që na vranë dhe na masakruan në të gjitha kohët, një shekull të tërë. Ai ishte i ashpër ndaj armiqve të mi dhe populli ynë e do atë. Mua më mban kjo simpati dhe jetoj me këtë simpati dhe më duket dita fare e shkurtër kur jam në publik, në rrugë a gjetiu… Mburrem me imazhin e Hitlerit dhe ndihem krenar që kam pamjen si të tij.

Si të njohin njerëzit në përgjithësi? A ta dinë emrin apo më shumë si Hitler?
– Në fakt, pakkush më njeh me emër e mbiemër të vërtetë. T’i thuash, ndoshta, fqinjit tim a e njeh Emin Gjinovcin, nuk do të të jap përgjigje. Por, ta pyesësh këdo në qytet se a e njeh Hitlerin e Kosovës, të thotë po. Ndodh që gruaja ime të udhëtojë me taksi dhe i mjafton t’i thotë taksistit se është gruaja e Hitlerit, apo vajza të thotë se është e bija e Hitlerit. Dhe, taksisti më nuk kërkon që ajo të paguajë, por më thotë mua kur t’më takon.

Safet Krivaça / Kosovarja/

MUND TË JU PËLQEJNË